Artan Haruni
Neuropediater; EEG Interpret
Dhimbjet e kokës janë ndër shqetësimet më të zakonshme që hasen tek fëmijët, veçanërisht në moshat shkollore. Ato mund të jenë të kalueshme, si pasojë e lodhjes apo mjedisit, por ndonjëherë mund të jenë shenja të një gjendjeje më të ndërlikuar që kërkon vëmendje të veçantë mjekësore.
Shkaktarët më të shpeshtë janë dhimbjet e tipit tensiv, të cilat shfaqen si pasojë e stresit, qëndrimit për një kohë të gjatë para ekranit apo lodhjes mendore. Një pjesë e mirë e fëmijëve mund të kenë edhe migrenë, një formë dhimbjeje koke që shpesh shoqërohet me ndjeshmëri ndaj dritës, të përziera, lodhje, e madje nevojë për të pushuar në errësirë. Në shumë raste, migrena ka prirje familjare, që do të thotë se nëse një prind vuan nga migrena, ekziston mundësia që edhe fëmija ta trashëgojë.
Dhimbja e kokës mund të shoqërojë edhe infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si gripi apo sinusiti, sidomos kur fëmija ankohet për dhembje pas hundës ose rreth syve. Megjithatë, ka disa raste kur dhimbja e kokës duhet të marrë një qasje më serioze: për shembull kur është shumë e fortë, shfaqet papritur dhe e zgjon fëmijën nga gjumi, apo kur shoqërohet me të përziera, të vjella, turbullim të shikimit, përgjumje ose sjellje të pazakonta. Gjithashtu, nëse dhimbja përsëritet shpesh dhe fillon të ndikojë në aktivitetin e përditshëm të fëmijës, duhet patjetër të konsultohet një mjek.
Diagnoza e saktë është e domosdoshme për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një gjendje të zakonshme si migrena, apo në raste më të rralla, me ndonjë problem neurologjik më serioz. Në disa raste mund të kërkohen ekzaminime, sidomos nëse ekziston dyshimi për një shkak organik.
Trajtimi zakonisht nis me masat bazë: pushim, qetësi, përdorim i kujdesshëm i barnave si paracetamoli apo ibuprofeni, por mbi të gjitha kërkohet që të shmangen faktorët që e nxisin dhimbjen, si mungesa e gjumit, dehidratimi apo ngarkesa emocionale. Është shumë e rëndësishme që të mos bëhet abuzim me medikamentet, pasi përdorimi i shpeshtë i tyre mund të çojë në dhimbje koke nga mbipërdorimi i barnave.
Prindërit luajnë një rol kyç në vlerësimin dhe përballimin e dhimbjeve të kokës tek fëmijët. Vëzhgimi i kujdesshëm i situatave kur shfaqet dhimbja, kohëzgjatja, reagimi ndaj barnave, dhe ndryshimet në sjellje, mund të ndihmojnë mjekun në vendosjen e një diagnoze të saktë dhe një plani trajtimi efikas. Kujdesi i hershëm është gjithmonë zgjedhja më e mirë.